Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar që të anulohet vendimi i qeverisë për zbritjen e shtesave të pensionistëve.
Deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi në një konferencë për media e ka quajtur jo njerëzore këtë vendim duke shtuar që ka segmente tjera ku mundet ekzekutivi të kursejë.
“Kërkojmë që menjëherë të anulohet vendimi për shtesat e pensionistëve. Në bazë të premtimeve kjo Qeveri ka ardhur në pushtet. Ka segmente te tjera ku Qeveria mund të kursehet, por jo kategori qe janë të rrezikuara në shoqëri. Kemi vendos qe se paku 100 dite kjo Qeveri të kursehet nga akuzat, por kjo Qeveri po na detyron të veprojmë. Është jo humane dhe jo njerëzore, menjëherë Qeveria ta anulojë këtë vendi”, tha Isufi.
Ndërkaq, deputeti Besnik Tahiri përmendi edhe faktin për vonesat në sigurimin e vaksinave.
“Për një muaj ka ndodhë në mori vendimesh qe kulmon me këtë të fundit, që prek kategorinë më të rrezikuar të shoqërisë. Ende asnjë ministri nuk na ka prezantu prioritetet qe i kanë…Sa i përket vaksinave, le që jemi te fundit dhe jemi hynë konflikt më mes vete, jo gazetaret, jo kontrata. Bleni vaksinat dhe Aleancën e keni prapa në Kuvend”, tha ai.
Sot ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka sqaruar se shtesat prej 20 eurove për pensionet janë bërë pasi që prej muajit mars e këndej, kësaj kategorie u ishin ndalur shtesat.