Sot u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Përgjithshëm të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku u diskutuan hapat e Aleancës në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Një nga pikat kryesore të rendit të ditës ishte pezullimi i zgjedhjeve të brendshme të partisë në të gjitha nivelet e organizimit. Pas një diskutimi të gjerë dhe përmbajtësor, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm unanimisht votuan për pezullimin e procesit të brendshëm zgjedhor, me qëllim që të gjitha strukturat e Aleancës të përqendrohen plotësisht në procesin zgjedhor nacional.
Ky pezullim do të jetë në fuqi deri në dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Në mbledhje u diskutua gjithashtu edhe plani i Aleancës për këto zgjedhje, duke trajtuar çështje kyçe si lista zgjedhore, programi zgjedhor dhe organizimi i strukturave të fushatës.
Këshilli i Përgjithshëm mori vendim edhe për themelimin e Shtabit Qendror Zgjedhor të Aleancës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në krye të shtabit u emërua nënkryetari i parë i Aleancës, z. Ardian Gjini, ndërsa do të përbëhet nga anëtarët e Komisionit për organizimin dhe koordinimin e zgjedhjeve të brendshme të Aleancës.






















