Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se nesër do të dorëzojnë kallëzim penal për 128 vendet e punës në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
“Kemi ftuar dhe menaxhmentin e KEK-ut të anulojë procesin në fjalë e t’i suspendojë të gjithë anëtarët e Komisionit Vlerësues; dhe të rinisë kështu një proces të ri, të hapur dhe mbi të gjitha të drejtë”, ka thënë Abdixhiku.
Konkursin në KEK Abdixhiku e ka quajtur “nepotizëm masiv” dhe ka thënë se katër mijë aplikuesit e tjerë nuk janë pranuar për shkak të bindjeve politike.
“Plot 4668 qytetarë tanë kanë aplikuar për 128 vende pune në Korporatën Energjetike të Kosovës – pra në KEK. Ky aplikim i tyre nuk kishte fare rëndësi, sepse vendet e punës ishin të parandara për 40 familjarë e 80 militantë partiak të partisë në pushtet”, ka thënë ai.