Pas pesë orësh diskutime, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka përmbyllur takimin e saj të hënën, i cili u thirr për të analizuar pozicionin e partisë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Gjatë takimit, LDK – e cila doli e treta në zgjedhje – shqyrtoi rezultatin zgjedhor, performancën e saj në degët brenda Kosovës dhe në diasporë, si dhe qëndrimin e saj politik pas shpalljes së rezultateve përfundimtare.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se partia nuk ka zhvilluar asnjë takim me ndonjë subjekt tjetër politik në Kosovë lidhur me koalicionet paszgjedhore.

“LDK e ka të qartë pozicionin politik karshi LVV-së. Nuk duam, nuk kemi dhe nuk do të punojmë për një bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje”, theksoi ai.

Ai shtoi se LDK nuk do të pranojë të jetë pjesë e ndonjë koalicioni pa postin e kryeministrit.

“LDK nuk do të punojë për një qeveri afatshkurtër. Pa u caktuar edhe pozita e presidentit të ardhshëm, ne nuk duam marrëveshje”, tha Abdixhiku.

Sa i përket formimit të institucioneve, ai theksoi se i takon partisë fituese të zgjedhjeve që të nisë procedurat për caktimin e mandatarit dhe kryetarit të Kuvendit.

“Presim veprimet e partisë së parë. Pas këtyre veprimeve, do ta keni edhe pozicionin e LDK-së”, përfundoi ai.

Related Posts