Deputetja e Kuvendit, Duda Balje, e cila abstenoi në Komisionin për Buxhet dhe Transfere për propozimin e tërheqjes së mjeteve nga Trusti ka qenë votë në emër të Grupit Parlamentar Multietnik. Por, me 16 qershor tregon se do të votoj pro tërheqjes së parave.
Deputetja e Grupit Multietnik në Kuvendin e Kosovës, Dude Balje ka vendosur të votojë pro tërheqjes së mjeteve nga Trusti.
Balje në një deklarim për Demokracia.com ka thënë se më datën 16 qershor vota e saj do të jetë pro.
“Siç kam thënë edhe më herët në deklarimet e mija edhe tani mund të them se në Kuvendin e Kosovës unë do të votoj për Trustin. Pra, vota ime do të jetë pro Trustit. Në Kuvend unë votoj në emrin tim personal dhe aty unë vendosi se si do të votojë, dhe siç e thash unë jam pro”, ka thënë Balje për Demokracia.com
E pyetur nëse i gjithë grupi Multietnik janë një zëri, Balje është shprehur se janë ndarë në mendime për këtë çështje.
“Grupi Multietnik është nda, disa janë pro disa kundër por prapë se prapë secili flet për vete. Vendimet janë ndryshe. Nuk e di se kush do të votoj kundër apo kush pro. Kjo do të vendoset deri në fund. Mirëpo, dihet se gjysma do ta përkrahin e gjysma jo. Personalisht do ta përkrahi dhe dua t’i jap mundësi qytetarëve të Kosovës vet me vendos për vete nëse duan me marrë 30%, po nëse jo nuk është e obligueshme. Nëse ata mendojnë se nuk është mirë me marrë ata nuk kanë obligim me marrë”, ka thënë tutje Balje.
Projektligji për Fondet Pensional do të shqyrtohet në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës, e cila do mbahet më 16 qershor.
Kjo është bërë e ditur nga shefat e grupeve parlamentare pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit e cila u mbajt gjatë ditës së djeshme.
Caktimin e seancës për shqyrtimin e Projektligjit për Trustin e ka cilësuar si “lajm të mirë” Besnik Tahiri, shef i GP të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Në seancën e radhës të kuvendit, më 16 qershor, menjëherë pas pikës së parë, e cila parasheh deklarimet jashtë rendit të ditës, do të shqyrtohet Projektligji për Fondet Pensionale”.
Në një deklarim për Demokracia, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka treguar se është duke biseduar dhe ka biseduar me deputetët lidhur me votimin e projektligjit që mundëson tërheqjen e 30 për qind të Trustit. Por, ai ka thënë se Qeveria dhe kryeministri Albin Kurti u ka bërë presion deputetëve të VV-së dhe pakicave që të mos e votojnë këtë projektligj.
Krijimi i mundësive ligjore, që qytetarët e Kosovë të tërheqin deri në 30 për qind të kursimeve të tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale – apo siç njihet ndryshe Trusti – ka ditë që ka shkaktuar debat në Kosovë, me argumente për dhe kundër. Në vitin 2020, pas krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, gjatë kohës sa kanë punuar.
Procesi i tërheqjes së kësaj përqindjeje nga Trusti ka nisur nga fundi i dhjetorit të vitit 2020 dhe ka zgjatur deri në fillim të prillit të vitit 2021.
Sipas të dhënave të Fondit për Kursime Pensionale, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427,371 kontribues.