Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër ndaj sulmeve personale dhe familjare të zyrtares së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, kundër gazetarit dhe autorit të emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi.
Sipas AGK-së, kjo retorikë përbën një vazhdimësi të qëndrimeve nxitëse dhe të papranueshme nga përfaqësues të kësaj partie ndaj gazetarëve dhe mediave në vend, sidomos pas publikimit të raportit të organizatës “Reporterët pa Kufij”, që e renditi Kosovën në vendin e 99-të për lirinë e medias.
“Reagimet e zyrtarëve të VV-së kanë nxitur qindra komente me përmbajtje kërcënuese ndaj gazetarëve, mediave dhe vetë AGK-së gjatë tri ditëve të fundit,” thuhet në reagimin zyrtar.
AGK-ja dënon fuqishëm çdo formë sulmi verbal apo personal ndaj gazetarëve dhe i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të ndryshojë qasjen dhe të ndalë përpjekjet për të cenuar lirinë e shprehjes dhe të medias në Kosovë.
https://www.facebook.com/asociacioniigazetareve