Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës (RrGGK) kanë dënuar ashpër përdorimin e gjuhës seksiste nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama (LDK), ndaj gazetares së emisionit “Piranjat”, Edona Gashi.

Në një deklaratë të përbashkët, organizatat theksojnë se përdorimi i termave si “loçkë”, “zemër” dhe shprehjeve të ngjashme gjatë një komunikimi me gazetaren përbën një sjellje jo vetëm joprofesionale, por edhe fyese, që synon të minimizojë seriozitetin e temave të trajtuara dhe të cënojë kredibilitetin e saj profesional.

“Sjellje të tilla përforcojnë ambientin patriarkal dhe të pasigurt në të cilin gratë gazetare në Kosovë janë të detyruara të punojnë çdo ditë”, thuhet në reagimin e përbashkët të AGK-së dhe RrGGK-së.

Dy organizatat e mediave kërkojnë nga kryetari Rama që të kërkojë falje publike dhe të angazhohet për respektim të plotë të rolit të gazetarëve dhe të së drejtës së tyre për të kërkuar përgjigje në interes të publikut.

AGK dhe RrGGK theksojnë se nuk do të tolerojnë gjuhë apo sjellje denigruese ndaj gazetareve dhe kërkojnë krijimin e një mjedisi profesional dhe të sigurt për punë për të gjithë punonjësit e medias.

Related Posts