Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili kishte thënë se “nuk do t’u jap para kryetarëve që nuk dinë të punojnë apo që vjedhin”.
Në një komunikatë për media, Bordi i AKK-së ka shprehur keqardhje dhe shqetësim të thellë për këtë gjuhë, të cilën e ka cilësuar “fyese dhe paragjykuese” ndaj kryetarëve të komunave të zgjedhur me votë të lirë nga qytetarët e Kosovës, përcjell Telegrafi.
“Deklarata e z. Kurti përbën jo vetëm një fyerje të drejtpërdrejtë ndaj kryetarëve të komunave, por edhe një cenim të parimeve themelore të barazisë institucionale dhe vetëqeverisjes lokale”, thuhet në reagimin e AKK-së.

























