Një punëtor ndërtimi ka pësuar lëndime të rënda trupore pasi është rrëzuar nga një lartësi prej rreth 3 metrash, gjatë punimeve në një objekt në Gjilan.
Ngjarja ka ndodhur më 16 mars rreth orës 10:40, në një vendpunishte ndërtimi në objektin e Spitalit Rajonal në rrugën “Idriz Seferi”.
Sipas informacioneve fillestare, punëtori Afrim Mustafa ishte duke kryer punë ndërtimore kur është rrëzuar nga lartësia, duke pësuar lëndime serioze.
Pas incidentit, ai është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa sipas mjekut kujdestar ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është mbajtur për trajtim në repartin e ortopedisë.
Viktima është punëtor i kompanisë “Hproject” me seli në Gjilan.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e krim-teknikës dhe Inspektori i Punës, të cilët kanë nisur procedurat për sqarimin e rrethanave të incidentit.
Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që rasti të cilësohet si “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Hetimet për këtë incident janë në zhvillim.






















