Dy aksidente të njëpasnjëshme tronditën autostradën A3 në drejtim të Cyrihut të hënën mbrëma, ku si pasojë një burrë 50-vjeçar humbi jetën, ndërsa disa persona të tjerë u lënduan.
Shkak fillestar i ngjarjeve dyshohet të ketë qenë një 18-vjeçar me prejardhje nga Kosova.
Sipas Policisë së Aargaut, aksidenti i parë ndodhi rreth orës 20:45, kur i riu kosovar, banues në Fricktal, duke drejtuar një BMW 330 Cabrio, humbi kontrollin mbi automjetin. Makina doli nga rruga, u përmbys dhe përfundoi në barrierën qendrore të autostradës. Shoferi u dërgua me urgjencë në Spitalin Universitar të Bazelit, ku sipas të dhënave të para lëndimet e tij nuk janë të rënda, ndërsa automjeti pësoi dëme totale, shkruan 22min.ch.

Hetimet fillestare tregojnë se shpejtësia e tepërt ka luajtur rol vendimtar në aksident. Policia po ashtu dyshon se në ngjarje kanë qenë të përfshirë edhe dy automjete të tjera të tipit BMW, të drejtuara nga shokët e 18-vjeçarit – një zviceran dhe një italian, të dy 18-vjeçarë nga Fricktali. Të dy këta shoferë janë arrestuar përkohësisht, ndërsa Prokuroria e Rheinfelden-Laufenburg ka hapur procedurë penale.
Aksidenti i parë krijoi një kolonë të gjatë trafiku, ndërsa forcat e policisë u detyruan të mbyllin një korsi për procedurat e hetimit. Pikërisht kjo situatë çoi në aksidentin e dytë tragjik, rreth orës 23:40. Një Volvo, që udhëtonte në korsinë e majtë, u përplas me shpejtësi të plotë në pjesën e pasme të një kamioni të ndalur në fund të kolonës. Përplasja e fuqishme e futi automjetin nën rimorkion e kamionit.
Megjithëse ndihmuesit e parë kryen menjëherë masa ndihmuese dhe shërbimet e urgjencës nisën reanimimin, shoferi i Volvos – një 50-vjeçar gjerman me banim në kantonin Schwyz – nuk arriti të mbijetojë. Shoferi i kamionit nuk u lëndua.



























