Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj një gjinekologu me inicialet S.Gj., nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi dyshohet se e detyroi një paciente që të kryente lindjen në një klinikë private, ku ai ishte i angazhuar si mjek.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 31 janar 2022 në Prizren. Mjeku në fjalë, duke ushtruar funksionin në Repartin e Gjinekologjisë-Obstetrike të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, i kishte rekomanduar pacientes G.B. që të mos lindte në atë spital, por në një klinikë private në Prishtinë, me arsyetimin se në repart kishte pacientë të infektuar me Covid-19.

Edhe pse pacientja i kishte kryer të gjitha kontrollet gjatë shtatzënisë në Spitalin e Prizrenit dhe në klinikën private të mjekut në këtë qytet, gjinekologu refuzoi t’i mundësonte lindjen me operim aty dhe e udhëzoi atë dhe bashkëshortin e saj J.B. që lindjen ta kryenin në një klinikë tjetër, ku ai vetë punonte.

Në këtë klinikë private në Prishtinë, operacioni u krye nga vetë i pandehuri. Prokuroria thotë se me këtë veprim, ai ka përfituar kundërligjshëm dhe ka shkaktuar dëm material çiftit në shumën prej 1,500 euro.

 

Rasti është ngritur si shkelje e Ligjit për Shëndetësi të Kosovës, me dyshimin se gjinekologu ka vepruar në kundërshtim me detyrimet ligjore për trajtimin e pacientëve në institucionet publike.

Related Posts