Aktorja e njohur shqiptare, Arjola Demiri, është pritur të mërkurën në një takim të veçantë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë nga ambasadori, profesori i mirënjohur Petrit Malaj.
Takimi u zhvillua në kuadër të nderimit të kujtimit të regjisorit të madh shqiptar, Dhimitër Anagnosti, figurë kyçe e kinematografisë shqiptare dhe model i artit të ndershëm.
Përmes një postimi të ndarë në rrjetet sociale, Arjola Demiri ndau emocionet e saj nga ky takim, duke theksuar rolin e madh që ka pasur Anagnosti në formësimin e kulturës shqiptare dhe ndikimin e tij të thellë në shpirtin artistik të brezave.
“Së bashku me ambasadorin, profesor Petrit Malaj, ndaluam me emocion tek figura e tij e ndritur dhe filmat që e dhanë kinemasë shqiptare shpirt e dinjitet. Anagnosti krijoi në kohë të pamundura, por arti i tij e tejkaloi kohën dhe kufijtë, duke na lënë një trashëgimi që do të mbetet e gjallë sa vetë kujtesa jonë kombëtare”, shkroi Demiri në InstaStory.
Në ambientet e Ambasadës, pranë flamurit kombëtar dhe një fotografie të regjisorit të ndjerë, aktorja shkroi në librin e zisë, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të madh të ekranit shqiptar.
“Trashëgimia e tij mbetet një dritë që do të udhëheqë brezat e sotëm dhe të ardhshëm drejt vlerave të vërteta të artit dhe kulturës. Qoftë kujtimi i tij i përjetshëm dhe i paçmuar për frymëzimin pa mbarim”, shkroi ajo.
Ky takim përkujtimor është një dëshmi tjetër e respektit të thellë që figura të shquara të artit si Dhimitër Anagnosti gëzojnë në të gjithë trevat shqiptare, si dhe e bashkëpunimit të ngushtë midis përfaqësuesve të artit dhe institucioneve kombëtare.