Skuadra arabe Al-Ittihad është gati të testojë vendosmërinë e Manchester United për të mbajtur kapitenin Bruno Fernandes, duke përgatitur një ofertë marramendëse para përfundimit të afatit kalimtar. 

Sipas të përditshmes The Sun, kampionët në fuqi të Arabisë Saudite pritet të paraqesin një ofertë financiare mbresëlënëse, e cila do t’i siguronte mesfushorit portugez një pagë prej 33 milionë eurosh në vit. 

Megjithatë, bindja e trajnerit Ruben Amorim për të lejuar largimin e liderit të ekipit nuk pritet të jetë e lehtë. 

Thuhet se ka pasur një takim paraprak mes përfaqësuesve të Al-Ittihad dhe agjentëve të Fernandes, megjithëse lojtari tashmë ka refuzuar një ofertë të mëparshme nga klubi tjetër arab Al-Hilal, skuadra më e suksesshme në historinë e kampionatit arab. 

Por, pyetja mbetet: A do të jetë në gjendje 30-vjeçari Fernandes të refuzojë një ofertë të këtij niveli financiar? 

“Kam qenë gjithmonë i sinqertë. Gjithmonë kam thënë se do të jem këtu derisa klubi të më thotë se është koha të largohem. 

“Jam i etur të jap më shumë, të ndihmoj në kthimin e ditëve të lavdisë për klubin. Nëse vjen dita që klubi mendon se është koha të ndahemi, futbolli është kështu, kurrë nuk e di se çfarë ndodh”, kishte deklaruar më parë futbollisti portugez. 

Ky zhvillim i fundit vë në pikëpyetje të ardhmen e Bruno Fernandes te Manchester United, teksa klubi përballet me tundimin e një oferte që mund të ketë ndikim të madh financiar, por edhe sportiv.

Related Posts