Kompania Al Trade, një nga emrat më të konsoliduar në tregun vendor, ka shënuar 26-vjetorin e saj me një ceremoni festive ku, sipas traditës së krijuar ndër vite, u mbajt aktiviteti tradicional i nderimit për personalitete me kontribut të rëndësishëm në kulturë dhe shoqëri.
Këtë vit nderimi i veçantë iu dedikua artistit të mirënjohur Ilir Shaqiri, një prej ikonave të muzikës shqiptare. Me një karrierë të gjatë e të pasur, Shaqiri ka mbetur zë dhe frymëzim për shumë breza, duke përçuar vlera kombëtare dhe artistike në çdo paraqitje të tij.
Gjatë momentit të nderimit, Ilir Shaqiri u emocionua, teksa falënderoi Al Trade për respektin dhe vlerësimin e treguar ndaj punës së tij shumëvjeçare. Në fjalën e tij, ai vlerësoi lart kontributin e kompanisë në Kosovë, duke theksuar se Al Trade, si një familje e përkushtuar, ka kontribuar jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në shërbim të kombit.

Drejtuesit e Al Trade theksuan se nderimi i Shaqirit është një shenjë respekti për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kulturën shqiptare dhe një motivim për artistët e rinj.

Me këtë ngjarje, Al Trade jo vetëm festoi historinë e suksesit prej 26 vitesh, por gjithashtu riafirmoi misionin e saj për të mbështetur artin, kulturën dhe vlerat e mirëfillta që forcojnë identitetin shqiptar.



























