Një ngjarje shqetësuese është raportuar në Missouri, ku një nënë zbuloi substancën e rrezikshme “Fentanyl” brenda paketimit të një kukulle Barbie, duke ngritur alarm për sigurinë e produkteve për fëmijë.
Jade Adams kishte blerë kukullën nga një dyqan me çmime të ulëta, ndërsa ishte duke bërë pazar me bashkëshortin dhe vajzën e saj. Sipas saj, momenti i hapjes së paketimit ishte tronditës, shkruan Daily Mail.
“Kur bashkëshorti im e hapi me thikë, një pluhur u përhap menjëherë në makinë. U habitëm dhe pyetëm veten se çfarë ishte”, tha Adams për mediat lokale.
Pas incidentit, ajo u kthye menjëherë në dyqan për të paralajmëruar stafin dhe për të kërkuar largimin e produkteve nga raftet.
Policia e qytetit bëri të ditur se ishte njoftuar për një substancë të dyshimtë dhe, pas analizave, konfirmoi se bëhej fjalë për fentanyl, një drogë shumë e rrezikshme.
Hetimet zbuluan se të paktën pesë njësi të tilla ishin shitur, por të gjitha janë identifikuar dhe rikuperuar nga autoritetet. Sipas policisë, vetë kukullat nuk ishin të manipuluara, por substanca ishte vendosur e ngjitur në pjesën e pasme të paketimit.
Adams u shpreh e frikësuar për pasojat që mund të kishte pasur ky incident, veçanërisht për fëmijët.
“Mund ta kishin shpërndarë atë pluhur nëpër trup apo në shtëpi. Kjo është vërtet e tmerrshme, sidomos kur mendon për fëmijët”, tha ajo.
Autoritetet theksuan se nuk ka prova që produktet e manipuluara janë shpërndarë në dyqane të tjera dhe fatmirësisht nuk janë raportuar të lënduar. Megjithatë, hetimet vijojnë.
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta edhe në rrjetet sociale, ku përdoruesit kanë shprehur shqetësim dhe lehtësim që incidenti u zbulua në kohë.






















