Alfonso Perez Munoz, lojtar i ekipit të parë të Real Madridit nga viti 1991 deri në 1995, u ul me Josep Pedrerol në emisionin e tij ‘El Cafelito’.
Emri i Vinicius Junior vazhdon të jetë njëri nga më të përfolurit në botën e futbollit, pasi e ardhmja e tij te Los Blancos vazhdon të mbetet e paqartë.
Raporti i tij me trajnerin Xabi Alonso dhe sjelljet e tij jo aq të mira për një klub si Real Madridi kanë bërë që zërat për një largim të tij të shtohen dita ditës.
I fundit që mendon se sulmuesi brazilian duhet të largohet nga “Santiago Bernabeu” është ish-lojtari i Real Madridit, Alfonso Perez Munoz.
“Nuk jam shumë i bindur nga Vinicius. Disa njerëz mund të më kritikojnë, por unë… do ta kisha shitur dhe do të kisha nënshkruar me një qendërsulmues. Mendoj se Real Madridit i duhet absolutisht një qendërsulmues”, rrëfeu fillimisht ish-lojtari i Real Madridit, Betisit, Barcelonës dhe Marseille.



























