Alonso merr fitoren e parë me Realin, fiton me 10 lojtarë ndaj Pachucas
Sport
Gazeta Express
22/06/2025 23:06
Xabi Alonso ka marrë fitoren e parë me Real Madridin, pasi “Los Blancos” mposhtën me rezultatin 3-1 ekipin meksikan Pachuca në kuadër të FIFA Club Ëorld Cup.
Gjigandët e La Ligës hasën vështirësi në ndeshjen hapëse të turneut, ku barazuan 1-1 ndaj ekipit saudit Al Hilal, ndeshje që u zhvillua në kushte të nxehta dhe me lagështi të lartë në Miami. Xabi Alonso kërkoi reagim nga lojtarët e tij – dhe ai erdhi, por jo në mënyrën e duhur.
Vetëm pas 7 minutash lojë, mbrojtësi Raul Asencio shkaktoi një penallti ndaj Salomon Rondon, duke marrë karton të kuq direkt, dhe Real Madrid mbeti me një lojtar më pak që në fillim të ndeshjes në Bank of America Stadium në Karolinën e Veriut.
Megjithatë, skuadra reagoi me qëndrueshmëri, dhe zhbllokimi i rezultatit erdhi në minutën e 35-të nga një emër i njohur: Jude Bellingham. Mesfushori anglez u fut me shpejtësi në zonë pas një pasimi të Fran Garcia dhe realizoi golin e parë për Madridin.
Lëvizja e Bellinghamit nga thellësia ishte një tjetër tregues i mënyrës se si Alonso synon ta shfrytëzojë atë në mesfushë në muajt në vijim.
Pak para fundit të pjesës së parë, Arda Güler realizoi golin e dytë pas një aksioni të saktë brenda zonës. Turku ishte ndryshimi i vetëm në formacion në krahasim me ndeshjen ndaj Al Hilal, duke zëvendësuar Rodrygo, dhe ky vendim i Alonsos doli i drejtë.
Në pjesën e dytë, Fede Valverde vulosi fitoren me golin e tretë për Realin, edhe pse Pachuca shënoi një gol nderi me Elias Montiel.
Kjo fitore jo vetëm që e nxjerr Pachucan jashtë turneut, por edhe e ngjit Real Madridin në krye të grupit me 4 pikë.
Fatet e grupit do të përcaktohen nga ndeshja mes RB Salzburg (3 pikë) dhe Al Hilal (1 pikë). Me një rezultat normal ndaj Salzburgut më 27 qershor, Reali do të sigurojë kualifikimin në fazën e 1/16-ave, por do të duhet të luftojë për të ruajtur vendin e parë në Grupin H.