Trajneri i Real Madrid, Xabi Alonso, po përpiqet të ndalojë rrjedhjet e vazhdueshme të informacionit nga dhoma e zhveshjes drejt mediave, duke kërkuar më shumë disiplinë dhe konfidencialitet brenda skuadrës.

Sipas raportimeve të “The Athletic”, stafi teknik ka theksuar se dhoma e zhveshjes duhet të mbetet “një vend i sigurt”, ku asnjë detaj i brendshëm nuk duhet të dalë në publik.

Ky vendim erdhi pas incidentit të fundit gjatë Kupës së Botës për Klube, kur përpara ndeshjes kundër Al-Hilal u zbulua se Alonso planifikonte ta fuste nga minuta e parë Gonzalo Garcia. Pas kësaj, trajneri spanjoll ndaloi praktikën e njoftimit të lojtarëve për formacionin startues përpara kohe, për të shmangur çdo rrjedhje të mundshme.

 

Më parë, rrjedhjet e tilla kishin detyruar Real Madridin të publikonte formacionin zyrtar më shumë se dy orë para ndeshjeve, një praktikë e pazakontë për klubin madrilen.

Raporti shton se Alonso dëshiron të krijojë një mjedis më të mbyllur dhe të përqendruar, ku lojtarët ndihen të mbrojtur dhe përgjegjës për ruajtjen e fshehtësisë taktike.

Related Posts