Ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, ka reaguar me rastin e hapjes së aplikimeve për pasardhësin e kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Reagimi është postuar nga vetë Ambasada Gjermane në Tiranë.

Në deklaratën e tij, ambasadori vlerëson punën e bërë nga Altin Dumani në krye të SPAK, duke theksuar se Nën udhëheqjen e Altin Dumanit, SPAK ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

“Besimi i madh i popullsisë shqiptare dhe i partnerëve ndërkombëtarë në punën e SPAK e thekson këtë në mënyrë mbresëlënëse.”

Sa i përket procesit të nisur sot nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për përzgjedhjen e kreut të ri të SPAK, ambasadori Bergner thekson rëndësinë e një procedure transparente, të bazuar në meritë dhe të lirë nga çdo ndikim i jashtëm.

“Pavarësia e gjyqësorit, e cila duhet të reflektohet si në procesin e përzgjedhjes që sapo ka nisur, ashtu edhe në veprimet e përditshme të institucioneve ekzekutive dhe legjislative është një kriter kyç për Gjermaninë sa i përket sundimit të ligjit dhe përgatitjes së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, përfundon ai.

Related Posts