Real Madridi nuk ishte në formën e tyre më të mirë ndaj Rayo Vallecanos të dielën, por disi ata ia dolën që të sigurojnë fitore me rezultat 2-1 në ‘Santiago Bernabeu’.
Është një rezultat që do të thotë se kampioni në fuqi i La Ligas ngjitet në pozitën e dytë në tabelë, duke tejkaluar Atletico Madridin pasi u mposhtën më herët gjatë ditës nga Getafe.
Sipas Diario AS, trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti reflektoi për fitoren ndaj Vallecanos, e cila ai beson se ishte shumë më e rëndësishme se sa mund të mendojnë të tjerët.
“Ndjenja është e mirë, sepse objektivi ishte për të fituar. Pjesa e parë ishte shumë e mirë, ne mund të ishim në epërsi 3-0, por ishte 2-1. Aty pjesa e dytë u komplikua”.
“Ani pse patëm shumë raste, por kur jeni 2-1 në minutën e 75-të, çfarë duhet të bëni është të shmangni problemet dhe të mbroheni mirë”.
“E kuptoj se tifozët nuk e pëlqyen atë, por ne duhet ta kemi në mendje se shumë skuadra që luajtën në Ligën e Kampionëve kanë vuajtur”.
“Inter, Liverpool, Leverkusen, Bayern. Është shumë e vështirë të përgatitesh për këto ndeshje, ndaj skuadrave që po bëjnë mirë dhe me këtë intensitet siç bëri Rayo”, ka thënë Ancelotti.
Tekniku italian u pyet gjithashtu edhe për Kylian Mbappe, i cili la pas krahëve paraqitjen e dobët ndaj Atletico Madridit për të shënuar ndaj Rayos.
“Goli është diçka e rëndësishme. Deri në minutën e 70-të, që të dy ai dhe Vinicius bën shumë mirë, duke krijuar shumë raste, por kur është koha për t’u mbrojtur, unë i largoj sulmuesit”, përfundoi ai.