Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin ku Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu, Arben Jashari, Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica, si dhe Ajdar Jashari ishin shpallur fajtorë dhe dënuar me mbi 12 vite burgim (së bashku) lidhur me akuzën për dëmtimin e buxhetit të shtetit në vlerë mbi 2 milionë euro. Apeli shpalli aktgjykim lirues ndaj nëntë të akuzuarve.

Ata akuzoheshin se cigaret në vlerë prej 2 milionë e 931 mijë e 929 euro e 8 centë, nuk i kishin dorëzuar në KFOR, por ua kishin shitur kompanive të tjera pa banderolë, duke i shkaktuar evazion fiskal buxhetit të Kosovës, në shumën prej 2 milionë e 441 mijë e 927 euro e 71 centë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Themelorja i kishte dënuar nëntë të akuzuarit për “Keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi” dhe ndihmë në kryerjen e kësaj vepre.

Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Speciale mbi pretendimin për vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe vendimin mbi sanksionin penal. Kishte kërkuar nga Apeli që të akuzuarve t’iu shqiptojë dënim më të lartë.

Ndërkaq, edhe mbrojtësit e nëntë të akuzuarve, avokatët: Besim Parduzi, Blerim Hertica, Bedrie Rexhepi, Florin Vërtopi, Mentor Neziri, Agron Curri, Argjent Sefa, Arlind Jupolli dhe Asdren Bytyqi, kishin parashtuar ankesa me pretendimet se aktgjykimi i Themelores është i përfshirë në shkleje esenciale të dispoztiave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së Ligjit Penal. Ata kishin kërkuar nga Apeli lirimin e të mbrojturve të tyre, ose që rasti të kthehet në rigjykim.

Kurse, Prokuroria e Apelit me parashtresë kishte propozuar që të aprovohet ankesa e Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarve t’iu shqiptohen dënime më të larta me burgim, ndërsa të refuzohen ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve si të pabazuara.

Andaj, Kolegji i Apelit, me vendimin e përpiluar më 7 maj 2025, ka konstatuar se ankesat e mbrojtësve janë të bazuara, ndërsa ajo e Prokurorisë Speciale e pabazuar.

Sipas Apelit, vendimi i Themelores nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, miëpo është bërë vërtetim i gabuar i gjendjes faktike, dhe me këtë gabimisht i ka shpallur fajtorë të akuzuarit për veprën penale të ricilësuar nga aktakuza fillestare e të precizuar nga prokurori në fjalën përfundimtare.

Aty thuhet se me veprimet e të akuzuarve nuk përmbushen elementet e veprës për të cilën ata janë shpallur fajtorë.

Në arsyetim të Apelit, potencohet se nga aktakuza fillestare të akuzuarit Ferizi, Avdiu-Shala dhe Jashari akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Krimi i organizuar” lidhur me veprën penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve” të Kodit Doganor, ndërsa të akuzuarit Vitia, Mustafa, Gashi, Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Jashari akuzoheheshin për veprat penale “Krimi i organizuar” dhe “Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve”.

Më pas, aktakuza fillestare thuhet se ishte precizuar në veprën bazë “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” (sipas Kodit në fuqi në atë kohë dhe si më i favorshëm për të akuzuarit), ndërsa në fjalën përfundimtare, prokurori ka bërë përsëri precizimin e veprës penale bazë duke e kthyer në Kodin e vjetër “Shpërdorimi i detyrës zyrtare”, ndërkaq veprat tjera kanë mbetur të pandryshuara.

Apeli pajtohet me gjetjet e shkallës së parë lidhur veprën penale “Krimi i organizuar”, me arsyetimin se ky rast nuk ka të bëjë me këtë vepër.

“Në rastin konkret kemi të bëjmë me një shfrytëzim i rastit që të blihet mall pa banderola, i pa doganuar, dhe rrjedhimisht më i lirë, të cilën mundësi e kanë ofruar të akuzuarit që kanë punuar në organizatën e biznesit BDF PX. Po ashtu ky kolegj pajtohet edhe me gjetjet e Gjykatës së shkallës së parë lidhur me mos përmbushjen e elementeve të veprës penale shpërdorimi i detyrës zyrtare, pasi që të akuzuarit nuk kanë gëzuar pozita zyrtare që të cilësohen si të tillë”, thuhet në vendim.

Lidhur me këtë, Apeli thekson se Prokuroria nuk kishte provuar me asnjë provë strukturën e grupit- përmbushjen e elementeve të krimit të organizuar, por flitet vetëm në mënyrë të përgjithësuar. Aty thuhet se Themelorja thekson se kanë pasur detyra të caktuara, por me asnjë provë nuk e dëshmon se si janë dhënë këto detyra, kush i ka dhënë dhe cilat kanë qenë ato.

Sipas Apelit, të akuzuarit kanë komunikuar për të mos i dërguar cigaret në PX, por t’i shesin ato në tregun e zi ose biznese private ku dhe është zënë në flagrancë te i akuzuari Arsim Topanica, dhe kjo metodë ka vazhduar mbi një vit edhe me të tjerët.

Lidhur me ricilësimin e veprave penale gjatë shpalljes së vendimit të Themelores në “Keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi”, Apeli gjen se që të kryhet kjo vepër penale kryerësi i kësaj vepre duhet të veprojë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për organizatën e biznesit ose personit juridik në të cilin është i punësuar apo organizatën tjetër të biznesit ose për personin juridik, por nga provat nuk rezulton se kjo është bërë.

Gjithnjë sipas Apelit, në bazë të përgjimeve të telekomunikimeve, rezulton se të akuzuarit kanë bashkëpunuar që një pjesë të mallit të importuar për KFOR– ta shesin në tregun e Kosovës, duke iu shmangur tarifave doganore. Mallrat janë futur në depot e kompanisë vetëm në mënyrë fiktive, përmes falsifikimit të dokumentacionit, ndërsa në realitet, cigaret janë shitur te shitës të ndryshëm.

Por, kjo sipas Apelit nuk vërteton se është bërë në dobi të organizatës së biznesit apo për personin juridik për të cilin kanë punuar. Në fakt, rezulton të jetë kryer në dëm të organizatës, së biznesit, duke pas parasysh që malli që e kanë importuar nuk ka shkuar në destinimin e caktuar.

Andaj, bazuar në këtë, gjykata e shkallës së dytë, gjen se nuk janë plotësuar kushtet themelore të veprës “Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi”, për të cilën të akuzuarit janë shpallur fajtorë.

“Pra, qëllimi i realizimit të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për organizatën e biznesit nuk është përmbushur, gjegjësisht nuk ka asnjë provë që dëshmon se të akuzuarit ishin duke vepruar për qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për organizatën e biznesit BDF PX”, thuhet në aktgjykim.

Ndërkaq, të akuzuarit e tjerë të cilët ishin shpallur fajtorë për dhënien e ndihmës ndaj të tjerëve, Apeli vlerëson se nuk mund të shpallen fajtorë pasi që nuk është vërtetuar fajësia e tyre.

“Edhe sa i përket të akuzuarve tjerë të shpallur fajtor për vepër penale Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi në ndihmë nga neni 236 paragrafi 1 dhe 2, lidhur me nenin 25 të KPPK-së, Kolegji i Apelit gjen se nuk mund të shpallen fajtor për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre, meqenëse tre të akuzuarit e parë nuk kanë kryer veprën për të cilën janë shpall fajtor”, thuhet në vendim.

Aty thuhet se nga aktgjykimi i ankimuar nuk mund të kuptohet se në cilën mënyrë gjashtë të akuzuarit i kishin ndihmuar tre të akuzuarit e parë në keqpërdorimin e autorizimeve në ekonomi.

Po ashtu, Apeli thekson që i akuzuari Ajdar Jashari nuk përmendet fare në përshkrim faktik se çfarë veprime inkriminuese ka.

Rrjedhimisht, Apeli gjen se forma e ndihmës nuk është përshkruar drejt dhe saktë, por meqenëse tre të akuzuarit e parë nuk kanë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën janë gjykuar, edhe elementi i ndihmës nuk përmbushet për këtë vepër.

Mirëpo, Apeli konsideron se ka veprime inkriminuese nga të akuzuarit- sepse nga komunikimet e bëra mes tyre shihet se kanë qenë të përfshirë në aktivitet të kundërligjshëm, mirëpo që Gjykata nuk mundet të krijojë një akuzë të re, nëse Prokuroria nuk akuzon.

“Gjykata mund të bëjë rikualifikim të ndonjë vepre penale në kuadër të veprës për të cilën akuzohen të akuzuarit, mund të nxjerr ndonjë provë për të vërtetuar drejtë gjendjen faktike, por nuk mund të ndërtoj përshkrim faktik dhe vepër të re penale për të cilën Prokuroria nuk akuzon. Për këtë arsye, duke pas parasysh se nuk kemi aktakuzë për ndonjë vepër penale që elementet e saj përmbushen me veprimet inkriminuese të akuzuarve, Gjykata e Apelit ka liruar të akuzuarit për veprat për të cilat janë shpallur fajtor për të cilat nuk janë përmbushur elementet me veprimet e të akuzuarve”, thuhet në vendim.

Kurse, sa i përket sendeve të konfiskuara me aktgjykimin e ankimuar, Kolegji i Apelit gjen se këto sende duhet t’iu kthehen të akuzuarve, meqenëse të njëjtit janë liruar nga akuza dhe tanimë nuk ka arsye për konfiskimin e tyre-përveç dy vulave të falsifikuara të konfiskuar nga i akuzuari Shaip Ferizi të cilat nuk mund të jenë në qarkullim

juridik.

Ndryshe, më 11 mars 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, i kishte dënuar me burgim me kusht nëntë të akuzuarit e lartcekur.

Mirëpo, ndaj këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit kishin ushtruar ankesë mbrojtësit e të akuzuarve, me ç’rast më 18 dhjetor 2019 kjo Gjykatë ka aprovuar ankesat e tyre si dhe sipas detyrës zyrtare e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.

Në rigjykim, Themelorja më 16 shtator 2024 shpalli aktgjykim dënues ndaj nëntë të akuzuarve, duke i dënuar me mbi 12 vjet burgim (së bashku).

Në këtë rast i akuzuar është edhe Lulzim Gashi për të cilin ishte veçuar lënda me qëllim të ekonimizimit dhe zhvillimit të një procedure të përbashkët.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 dhjetor 2008, nëntë të akuzuarit që nga 8 shtatori 2006 e deri më 9 tetor 2007, kishin kryer krim të rëndë si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, duke e pasur secili rolin e tyre të ndarë në veprimtari kriminale.

Në aktakuzë thuhet se me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të një dobie pasurore apo financiare të kundërligjshme, gjatë importimit të cigareve si kontraktues të KFOR-it dhe në emër të KFOR-it, kishin keqpërdorur detyrat zyrtare.

Me këtë rast, sipas aktakuzës, cigaret në vlerë prej 2 milionë e 931 mijë e 929 euro e 8 centë, nuk i kishin dorëzuar në KFOR, por ua kanë shitur kompanive të tjera pa banderolë, duke shkaktuar evazion fiskal ndaj buxhetit të konsoliduar të Kosovës në shumë prej 2 milionë e 441 mijë e 927 euro e 71 centë.

Prokuroria të akuzuarit Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu dhe Arben Jashari, i ngarkonte me veprat penale “Krim i organizuar”, lidhur me veprën penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare” si dhe me veprën penale “Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve”.

Ndërsa, të pandehurit Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Lulzim Gashi, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Hajdar Jashari, i ngarkonte me veprën penale “Krim i organizuar” lidhur me veprën penale “Shmangie nga pagesat e detyrimeve”.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Related Posts