Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar gazetarit Valon Syla masën e ndalimit të afrimit vendit apo personit të caktuar.
Sipas Gjykatës, Sylës iu caktua masa për veprën penale “Lëndim të lehtë trupor”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Caktimin e masës së sigurisë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kjo masë u caktua pas mbajtjes së seancës dëgjimore.
“Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka marr Akvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që të pandehurit V.S i ndalohet ti afrohet në afërsi më të vogël se sa 5 (pesë) metra të dëmtuarës E.N., kjo masë e ndalimit, sipas këtij aktvendimi do të zgjasë 1 (një) muaj duke filluar nga data 28.06.2025 deri me datë 28.07.2025, ndërsa në rast të mos respektimit të kësaj mase, ndaj të pandehurit V.S. do të zëvendësohet kjo masë me masën e paraburgimit sipas nenit 175 paragrafi 5 të KPPRK-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Aty thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës “Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar”, ngase ekziston rreziku se i njëjti mund të përsërisë veprën e njëjtë penale apo mund të kryejë vepër penale edhe më të rëndë.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.