Gjykata e Korçës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj Ilirjan Selmanit, 31-vjeçarit të dyshuar si autor i vrasjes së Kozeta Teços, ngjarje e ndodhur tre ditë më parë në qytetin e Pogradecit.
Gjatë seancës gjyqësore për caktimin e masës, Selmani ka mohuar në mënyrë kategorike përfshirjen e tij në ngjarje, duke deklaruar se nuk është autori i vrasjes dhe se nuk ka pasur asnjëherë një marrëdhënie bashkëjetese me 52-vjeçaren.
Avokati i të dyshuarit i ka kërkuar gjykatës të mos pranojë masën e arrestit me burg, duke argumentuar se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme për të provuar autorësinë e klientit të tij.
Ndërkohë, prokuroria ka paraqitur dy prova kryesore në mbështetje të dyshimeve: njollat e gjakut të gjetura në një palë pantallona, të cilat janë zbuluar në një kazan mbetjesh urbane pranë banesës së viktimës, si dhe pamje filmike ku Selmani shfaqet duke hyrë dhe dalë nga banesa e Kozeta Teços ditën e ngjarjes.
52-vjeçarja u gjet e asfiksuar brenda banesës së saj në Pogradec, ku fillimisht u dyshua për vdekje natyrale si pasojë e përfshirjes së banesës nga zjarri.
Por hetimet e mëtejshme nga grupi hetimor zbuluan se 52-vjeçarja ishte ekzekutuar me thikë.
Selmani u arestua pas kqyrjes së pamjeve filmike, ku shihet duke hedhur në koshin përballë banesës një qese me rroba, gjurmët e gjakut u gjetën pikërisht mbi rrobat që kodhi 31-vjeçari në mbeturina.