Një rast i dhunës fizike është regjistruar pasditen e sotme në shkollën fillore të mesme të ulët “Pavarësia” në Prishtinë, ku një video e publikuar në rrjete sociale shfaq një mësimdhënës duke ushtruar dhunë ndaj një nxënësi.
Pas publikimit të pamjeve, Policia e Kosovës dhe Prokuroria kanë reaguar menjëherë, ndërsa mësimdhënësi është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë.
Megjithatë, psikologu i kësaj shkolle, Nazim Mahmuti, ka dhënë një version tjetër të ngjarjes, duke pretenduar se mësimdhënësi është sulmuar nga një grup prej dhjetë nxënësish dhe se veprimi i tij ka qenë në vetëmbrojtje.
Në një deklaratë për “Zëri”, Mahmuti ka thënë se nxënësit kanë zgjedhur sallën e arsimtarëve për ta realizuar incidentin, pasi kjo hapësirë nuk është e pajisur me kamera sigurie, ndërsa sipas tij, ata kanë incizuar vetëm momentin e fundit të ngjarjes.
Ai ka sqaruar se nxënësi që shihet në video, me inicialet A.O., nuk është nxënës i mësimdhënësit në fjalë dhe se ndaj tij janë ndërmarrë më herët masa të shumta disiplinore për sjellje problematike.
Sipas Mahmutit, mësimdhënësi i teknologjisë ndodhej në shkollë duke përgatitur aktivitete për Ditën e Shkollës që pritet të shënohet më 16 shkurt, ndërsa nxënësi fillimisht e ka fyer dhe sharë atë me gjuhë të papranueshme. Pas largimit të nxënësit nga mësimdhënësi, ai është rikthyer në sallën e arsimtarëve i shoqëruar nga nëntë nxënës të tjerë, duke e sulmuar fizikisht arsimtarin.























