Njësitet e stacionit policor – jugu, në Prishtinë, kanë arrestuar dy persona, të dyshuar për përfshirje në disa raste të vjedhjeve të rënda.
Vjedhjet raportohet të kenë ndodhur në kryeqytet.
Rasti është konfirmuar nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, që bëri me dije se personat e dyshuar janë identifikuar falë veprimeve operative dhe hetimore nga njësitet e stacionit.
“Personat e dyshuar janë: A.B., 21 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe A.M., 26 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, deklaroi Pllana.
Ai shtoi se, me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë intervistuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale, si edhe në garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët”, përfundoi Pllana.























