Policia e Lezhës ka zbardhur autorësinë e shpërthimit me eksploziv të makinës agjentit të policisë, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë në lagjen “Besëlidhja” në Lezhë.

Përmes operacionit të koduar “Zoomed In”, hetuesit arritën të identifikojnë dhe të vënë në pranga autorin e dyshuar, një 32-vjeçar me iniciale F. Rr., i cili rezulton me precedentë penalë të mëparshëm në Itali për vjedhje me armë.

Zbulimi i autorit u bë i mundur pas një analize të hollësishme të pamjeve filmike nga kamerat e sigurisë në disa akse rrugore, të cilat ndihmuan policinë të gjurmonte lëvizjet e tij. Interesant është fakti se 32-vjeçari u kap në fshatin Zhejë të Kurbinit, teksa udhëtonte pikërisht me të njëjtin motor që kishte përdorur ditën kur vendosi lëndën plasëse në automjetin e efektivit.

Gjatë kontrolleve në banesën e të arrestuarit, policia gjeti edhe një armë gjahu pa leje, për të cilën ka nisur procedimi penal ndaj babait të tij 66-vjeçar.

Ndërkohë që motori dhe arma janë sekuestruar në cilësinë e provës, hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Lezhës për të identifikuar edhe një person tjetër, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me 32-vjeçarin në realizimin e këtij sulmi.

Sa i përket shpërthimit, polici ka deklaruar në dëshminë e tij se nuk ka konflikte. Dyshohet se sulmi me tritol mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës që ai ushtron prej disa vitesh në sektorin e Krimeve në Policinë e Lezhës, shkruan Tv Klan,

Related Posts