Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas arrestimit të kameramanit të portalit Paparaci, Jetmir Muji, i cili aktualisht ndodhet në stacionin policor Qendër në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Paparacit, Muji ishte duke xhiruar një material lidhur me shkollimin e vajzave të Presidentes Vjosa Osmani, kur u ndalua nga njësitë e sigurimit të afërt të saj. Atij iu konfiskua kamera dhe iu kërkua të fshinte materialet e incizuara.

AGK-ja e ka cilësuar arrestimin si të paligjshëm, arbitrar dhe abuziv, duke theksuar se një veprim i tillë përbën sulm direkt ndaj lirisë së medias dhe së drejtës së qytetarëve për informim.

“Jemi të alarmuar dhe thellësisht të shqetësuar me këtë ndalim arbitrar. Kërkojmë nga Policia e Kosovës që të lirojë menjëherë kolegun Jetmir Muji,” thuhet në reagimin e AGK-së.

Organizata e gazetarëve apelon që institucionet e vendit të respektojnë të drejtat e profesionistëve të medias dhe të mos ndërhyjnë në punën e tyre.

AGK-ja rikujton se çdo formë presioni, kërcënimi apo ndalimi ndaj gazetarëve dhe kameramanëve cenon drejtpërdrejt parimet demokratike dhe transparencën publike.

Related Posts