Artisti i njohur shqiptar Alban Skënderaj ka njoftuar shtyrjen e koncertit të tij “Motiv” në Athinë, i cili fillimisht ishte planifikuar të mbahej më 28 shkurt 2026. Arsyeja, siç shpjegon vetë ai, lidhet me faktin se kjo datë përkon me ditën përkujtimore të viktimave që humbën jetën në aksidentin hekurudhor në Larisë, Greqi.

“Koncerti ‘Motiv’ në Athinë do të mbahet më datë 21 mars, e shtunë,” ka shkruar këngëtari, duke sqaruar se kjo është e vetmja e shtunë e lirë gjatë marsit që salla mundëson.

Skënderaj thekson se vendimi është marrë “në shenjë respekti”, por edhe për arsye praktike, pasi më 28 shkurt në Athinë priten homazhe, manifestime dhe bllokime infrastrukturore që do ta bënin të vështirë zhvillimin normal të eventit.

Në fund të njoftimit, këngëtari u kërkon ndjesë ndjekësve për ndryshimin e papritur të datës dhe shpreh mirënjohje për të gjithë ata që e informuan. “Informacionin e morëm vetëm falë fansave dhe dashamirësve që na kanë shkruar këto dy ditë,” shkruan ai, duke falënderuar publikun për mirëkuptimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.

Ndërkohë, turi i koncerteve “Motiv” do të vazhdojë në Prishtinë nga data 4 deri më 7 dhjetor 2025, me katër mbrëmje njëra pas tjetrës, si dhe më 4 shkurt  2026 në Londër.

Related Posts