Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat vjetore për lindjet gjatë vitit të kaluar, duke njoftuar se janë regjistruar gjithsej 31.717 lindje, përfshirë ato që kanë ndodhur brenda dhe jashtë vendit.
Sipas statistikave zyrtare, 21.487 foshnje kanë lindur në territorin e Kosovës, prej të cilëve 11.115 janë meshkuj (ose 51.7%) dhe 10.372 janë femra (ose 48.3%).
Në njoftimin e ASK-së thuhet se: “Burimi i të dhënave është Agjencia e Regjistrit Civil të Kosovës, gjegjësisht Zyrat e Gjendjeve Civile. Sipas dispozitave ligjore mbi udhëheqjen e regjistrave themeltarë për Lindjet, rastet regjistrohen në mënyrë obligative në regjistrat e lartë-cekur, në vendin ku ka ndodhur ngjarja, pa marrë parasysh se personat me të cilët lidhet ngjarja, vendbanimin e përhershëm e kanë në atë vend ose në ndonjë vend tjetër.”
ASK-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbledhjen e të dhënave përmes pyetësorëve statistikore DEM-1, një praktikë që realizohet çdo muaj për të ndërtuar një bazë të qëndrueshme të të dhënave demografike dhe për t’i krahasuar ato me të dhënat administrative.
“ASK-ja do të vazhdojë me grumbullimin e të dhënave përmes pyetësorëve të veçantë statistikorë, për Lindjet DEM-1, gjatë këtij viti kalendarik, sikurse deri më tani. Grumbullimi i të dhënave vazhdon të bëhet çdo muaj dhe do të shërbejë për krijimin e bazës së të dhënave, si dhe krahasimin me të dhënat administrative”, thuhet më tej në njoftim.