Administrata e Ushqimit dhe e Ilaçeve e Shteteve të Bashkuara e ka miratuar për përdorim urgjent vaksinën e kompanisë “Moderna” kundër sëmundjes Covid-19, disa ditë pas miratimit të vaksinës së kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech”.
Kjo është vaksina e dytë kundër koronavirusit që u miratua për përdorim urgjent brenda një jave. Miliona doza pritet të fillojnë të shpërndahen menjëherë për punëtorët shëndetësorë dhe për banorët e shtëpive të kujdesit, shkruan The Guardian.
Sipas testimit në njerëz, vaksina e kompanisë “Moderna” është 94 për qind efektive dhe është e autorizuar për përdorim vetëm për personat mbi moshën 18-vjeçare. Miratimi i vaksinës erdhi pas rekomandimit pozitiv të panelit këshilldhënës të Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve, i cili përbëhet nga ekspertë të pavarur.
“Me vënien në dispozicion të dy vaksinave për parandalimin e Covid-19, Administrata e Ushqimit dhe e Ilaçeve ka bërë një hap tjetër jetik në luftën kundër kësaj pandemie globale që po shkakton numra të mëdhenj të hospitalizimeve dhe vdekjeve në Shtetet e Bashkuara secilën ditën”, tha komisioneri i këtij institucioni, Stehphen Hahna, në deklaratën ku u bë i ditur miratimi i vaksinës së kompanisë “Moderna”.
Vaksina e zhvilluar nga kjo kompani dhe Instituti Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Ngjitëse e përdor teknologjinë e të ashtuquajturës “ARN lajmëtare”, e cila e njofton organizmin me proteinat në formë të majës që e mbulojnë sipërfaqen e koronavirusit, duke ia mundësuar luftimin e tij.
Ndryshe nga vaksina e miratuar më herët, kjo vaksinë ka dy përparësi. Ajo nuk ka nevojë të ruhet në temperaturë -70 gradë dhe të dhënat tregojnë se ajo i mbron njerëzit nga koronavirusi i rëndë, kur nuk e parandalon shndërrimin e infeksionit në sëmundje.