Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, është shprehur i bindur se nuk do të zbatohet vendimi i Qeverisë për rritje të pagës minimale.
Ai në emisionin “Konfront” të mërkurën, ka thënë se kjo nuk ka mundësi të zbatohet në sektorin privat.
“Le të më garantoj dikush se nga 1 tetori do të respektohet kjo për pagë minimale 350 euro. Absolutisht jo. Nuk ka mundësi”, ka thënë Azemi.
Ai ka hedhur dyshime edhe për projektin e Qeverisë “Superpuna”. Sipas tij, kjo fushatë e Qeverisë nuk ka dhënë rezultate.
“I kemi disa biznese që familjarët e tyre i kanë paraqitur, e që me herët nuk ishin të lajmëruar”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se mendon që shifrat e dhëna nga Qeveria që papunësia në Kosovë është vetëm 10.7 për qind nuk janë të sakta.
Sipas tij shkalla e papunësisë mund të jetë edhe më e vogël.
“Ndoshta ky numër është edhe më i vogël, sepse njerëzit që dalin në terren dhe e shohin gjendjen reale, jo që kemi njerëz të papunë, por kemi mungesë të punëtorëve në sektorin privat të Kosovës, nuk ka kompani në Kosovë që nuk e ka një numër të konsiderueshëm të punëtorëve”, është shprehur Azemi në emisionin “Konfront” , në KTV.