Alban Zejnullahu, vëllai i të ndjerit Agon Zejnullahu, ka dhënë një rrëfim prekës në emisionin “Pressing” në T7, duke kujtuar momentet e para kur familja e tij u njoftua për vdekjen tragjike të Agonit, i cili ishte vetëm 27 vjeç.
Ai tregoi se si babai i tyre reagoi kur e pa Agonin me një çarçaf të vendosur mbi fytyrë:
“Ja kishin vendos një çarçaf në fytyrë mjekët, dhe pyetja e parë e babit ke; ‘Pse ja keni mbulu fytyrën, se po i zinet fryma?’” rrëfen Alban Zejnullahu mes emocioneve.
“Mjekja i tha: ‘Ka ndërruar jetë’. Baba ra përtokë… Edhe unë rashë. Kur u kfjellëm pas disa minutash, nuk mujsha me e tërheq babën. E kishte përqafu Agonin, po i thoshte ‘ki me u çu’…”
Ai gjithashtu shprehu indinjatën për mënyrën se si u trajtuan nga policia gjatë këtij momenti të rëndë:
“Policët as nuk më ngushëlluan, edhe pse i njoh personalisht. Kur hymë në emergjencë, aty kishte shumë policë. Nuk e kuptojsha a kishte ardhë naj kriminel apo çka po ndodhte. Policët shmangeshin prej nesh gjatë rrugës. Ata ishin të njëjtit që ishin në vendin e ngjarjes.”
Sipas tij, lajmin e kishin marrë fillimisht përmes një telefonate nga stacioni policor:
“Dikush nga stacioni e ka telefonu prindin dhe i ka thënë ‘hajde në emergjencë, se koka Agoni aty’. Mendonim që ka pasur ndonjë aksident të vogël. Gjatë rrugës pamë dy vetura të goditura dhe menduam që ka qenë ndonjë lëndim i lehtë.”
Vdekja e Agon Zejnullahut ka tronditur opinionin publik në Kosovë dhe ka hapur debate të shumta rreth trajtimit të rasteve nga ana e autoriteteve dhe nevojës për përgjegjësi institucionale.
Rasti po vazhdon të hetohet, ndërsa familja kërkon drejtësi dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike.