Pas dështimit të pestë radhazi për konstituimin e Kuvendit, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka qenë e prerë: LDK nuk do të bëhet pjesë e asnjë marrëveshjeje politike për kryetarin e Kuvendit.
“Ne e kemi thënë qartë: asnjë kandidat i VV-së nuk është i pranueshëm për LDK-në. Nuk jemi të gatshëm për marrëveshje, as për kompromise”, ka deklaruar Bajrami para mediave.
Ajo theksoi se përgjegjësia për të krijuar shumicën i takon ekskluzivisht Vetëvendosjes, e cila sipas saj po tregon “paaftësi për të siguruar votat e nevojshme”.
“Janë edhe 14 parti të tjera në Kuvend. Le t’i gjejë VV-ja votat e tyre. Ne nuk kemi votë as për VV-në, as për partnerët e tyre të koalicionit”, ka shtuar Bajrami.
Bajrami ka kritikuar edhe organizimin e takimeve konsultative, duke thënë se Dehari nuk ka autorizim t’i thërrasë ato, dhe ka konfirmuar se LDK nuk ka marrë pjesë në asnjërin prej tyre.
LDK mbetet e vendosur në pozicionin e saj dhe nuk lë hapësirë për negociata – ndërsa bllokada politike në Kuvend vazhdon pa një zgjidhje në horizont.