Hykmete Bajrami, ka reaguar pas raportimeve për dorëheqjen nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ajo konfirmoi këtë zhvillim duke theksuar se ka kërkuar edhe dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga pozita kryetarit.

“Dje në mbledhjen e LDK-së kam kërkuar dorëheqjen e parevokushme të z. Abdixhiku nga pozita e kryetarit të LDK-së, si standard i vendosur nga vetë LDK-ja. Duke respektuar të njëjtin standard, kam ofruar dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme. Ky veprim nuk është personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite”, deklaroi Bajrami.

Ajo tha se përtej rezultatit të dobët zgjedhor të LDK-së, “sfida kryesore për Republikën e Kosovës mbetet rreziku i përqendrimit të pushtetit absolut te një parti politike, te një person i cili, që pesë vite ka dëshmuar se interesin personal dhe atë partiak e ka para interesit të Kosovës”.

Bajrami theksoi se LDK-ja kurrë s’ka qenë dhe as sot nuk është vetëm një parti politike; “ka qenë, është dhe do të mbetet mbrojtëse e shtetit dhe e institucioneve, mbrojtëse e Lirisë, Pavarësisë dhe Demokracisë, por kjo bëhet e mundshme vetëm kur ne vëmë LDK-në para interesit personal dhe Kosovën para interesit politik partiak”.

“Pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin prandaj duhet zgjedhje të brendshme. Zgjedhjet e brendshme në LDK janë të domosdoshme dhe nga situata ku gjendemi nuk na shpëton asnjë proces tjetër”, deklaroi Bajrami.

Ajo falënderoi 126 mijë e 102 qytetarët që kanë votuar LDK-në dhe 57 mijë e 153 gra e burra që e kanë votuar atë.

“Do të vazhdoj të punoj për LDK-në dhe për interesin e vendit, si deputete e zgjedhur në mandatin tim të shtatë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, brenda Grupit Parlamentar të LDK-së. LDK-ja ka nevojë për reflektim, përgjegjësi dhe vizion për të ardhmen, sepse e fortë i duhet Kosovës”, potencoi tashmë nënkryetarja në dorëheqje e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Related Posts