Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka komentuar kalimin në Kuvendin e Kosovës të ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami tha se qeveria vazhdon logjikën e njëjtë, siç tha ajo, të shpërndarjes pa kriter të mjeteve buxhetore të cilat sipas saj, zakonisht rrisin importin e thellojnë deficitin tregtar.
“Pra, shteti është kthyer në mekanizëm që mbledh para nga qytetarët përmes inflacionit çdo ditë të vitit dhe pastaj, kur t’u ju teket shpërndan nga një 100 Euro për të mbuluar dështimet e mëdha në arsim, shëndetësi dhe çdo fushë tjetër”, ka shkruar deputetja.
Ajo shtoi se vota nuk do të duhej të ishte qëllim në vete asnjëherë, “vota është mjet që një parti politike ta arrij të realizoj programin e saj në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe forcimit të shtetit, por fakeqësisht kjo për LVV nuk vlen”.
“Edhe pse LVV është në pushtet që nga viti 2021 dhe e dinte rezultatin e zgjedhjeve që nga 28 dhjetori 2025, ata sot kaluan një ligj që as strukturën e vetë qeverisë nuk e pasqyron: 4 nga 19 ministra mbeten pa buxhet me ligjin që kaloj sot. Për me tepër, shpenzimi i parasë publike këto pesë vjet ka qenë i shoqëruar me korrupsion endemik, mbi 3500 kontrata me negocim të drejtpërdrejtë dhe me skema korruptive publike, pa lënë asnjë gjurmë me projekte kapitale që kanë vlerë për brezat ardhshëm. Mjafton të shohim rrugët rajonale, tash e gjashtë vjet janë punishte në pauzë”, tha Bajrami.






























