Ballkani ka shënuar fitore me rezultat 2-0 si mysafir i Suharekës në kuadër të javës së 18-të në elitën e futbollit kosovar.
Gjatë pothuajse tërë këtij takimi ishin lojtarët e Ballkanit ata që rrezikuan më shumë portën e Suharekës duke pasur kështu iniciativën në këtë derbi lokal.
Ballkani arriti që të shënojë gol që në rastin e parë serioz dhe këtë e bën me Lindon Emërllahun i cili shënoi për 1-0 në minutën e 15-të me një gjuajtje nga distanca.
Të besuarit e Orges Shehit arritën që të shënojnë edhe një herë tjetër në minutën e 19-të, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Në minutën e 33-të portën e Suharekës e rrezikoi edhe Bajram Jashanica por nuk arriti që ta gjejë rrugën e rrjetës.
Për epilogun përfundimtar të takimit u përkujdes Bleart Tolaj i cili në minutën e 69-të shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes vendase për të shënuar për 2-0.
Pas javës së 18-të Ballkani vazhdon në pozitën e dytë me 33 pikë të grumbulluara, shtatë më pak se Drita që është lidere në kampionat me 40 sosh./Telegrafi/