Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Enrico Barduani, në informimin e tij të fundit para Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe Këshillit të Atlantikut të Veriut, ka theksuar se rruga drejt një sigurie të qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike.

Ai theksuar se “situata në Kosovë është e qëndrueshme, por mbetet subjekt i rreziqeve të përshkallëzimit të papritur, për shkak të një sërë çështjesh të pazgjidhura”.

Barduani tha se, pavarësisht sfidave në terren, “KFOR ka qëndruar në rrugën e duhur”, duke ndihmuar në “ruajtjen e stabilitetit dhe zbutjen e situatave që mund të kishin çuar në incidente ose shpërthime të paqëndrueshmërisë” dhe duke kontribuar “në ruajtjen e një kuadri sigurie që mund të ndihmonte përpjekjet e vazhdueshme dhe të rëndësishme diplomatike”.

Duke ripërsëritur mbështetjen e NATO-s dhe KFOR-it për dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë, ai theksoi: “KFOR-i ka demonstruar – edhe një herë – se është i gatshëm dhe i aftë të luajë rolin e tij dhe të përshtasë qëndrimin e tij, sipas nevojës. Që të lëvizim përpara është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina t’i implementojmë marrëveshjet ekzistuese. Të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet që të bëjnë kompromiset e nevojshme”.

Barduani ka vlerësuar gjithashtu edhe forcimin e misionit, përfshirë vendosjen e përkohshme të forcave rezervë, si dhe thellimin e bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare, organizatat e sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura Serbe.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.”, thuhet në njoftim.

Related Posts