Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka paralajmëruar një krizë të madhe të pagave që i kanoset sektorit publik, si dhe Radio Televizionit të Kosovës.
Basha tha se Kryesia e Kuvendit të Kosovës, e mbledhur sot, ka dështuar të adresojë tri çështje: buxhetin për RTK-në, buxhetin vjetor të Republikës së Kosovës dhe buxhetin e tri komunave.
“Fatkeqësisht, nuk është gjetur mirëkuptimi për asnjërën nga pikat. Kam pritur që po të ketë pasur vullnet politik, ka qenë bindja ime e thellë që nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore kushtetuese për t’i formuar komisionet për me mund të procedohet me buxhetin e RTK-së, tri buxhetet e komunave dhe buxhetin vjetor”, tha ai.
Kryeparlamentari theksoi se subjektet politike parlamentare nuk arritën gjuhë të përbashkët mirëkuptimi për tri çështjet.
“Për dy të parat, së paku kam pritur njëfarë mirëkuptimi, por megjithatë disa subjekte politike kanë refuzuar”, tha Basha.
Basha paralajmëroi për një krizë të madhe të pagave nëse nuk kalojnë në kuvend çështjet e buxhetit vjetor dhe atij të RTK-së.
“Mua më vjen keq sepse siç e dini është dëmi i buxhetit të tri komunave, dëmi i buxhetit të RTK-së dhe siç e dini mbi 700 punonjës nuk do të marrin paga për pasojë”, u shpreh Basha. “Mund të mbesin edhe mbi 80 mijë zyrtarë publikë pa paga”.


























