Sot në Tiranë në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes, do të nënshkruhet deklarata e përbashkët trilaterale midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë Pirro Vengu ka pritur të hënën në një takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiq, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë dyditore.

“Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kroacisë janë të shkëlqyera dhe prodhojnë siguri dhe stabilitet në rajon”, u shpreh ministri Vengu, duke vlerësuar mbështetjen e pakursyer të Kroacisë ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, shkruan ATSH.

Nga ana e tij, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiq, shprehu vlerësimin për rolin e Shqipërisë në rajon dhe ecurinë tejet pozitive të saj në procesin e negociatave për anëtarësim në BE, përcjell KosovaPress.

Palët ndanë një vlerësim të përbashkët mbi rreziqet dhe kërcënimet që i kanosen Evropës Juglindore dhe theksuan nevojën për një vëmendje të shtuar të NATO-s në hapësirën Adriatiko-Joniane, ku Shqipëria dhe Kroacia mund të ndërmarrin iniciativa të përbashkëta.

Në këtë aspekt, dy ministrat konfirmuan gatishmërinë për të ecur së bashku në rrugën e zhvillimit të kapaciteteve dhe të industrisë ushtarake.

Sot në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, do të nënshkruhet deklarata e përbashkët trilaterale midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës.

Krahas takimit me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë do të zhvillojë takime me Presidentin Bajram Begaj dhe kryetaren e Parlamentit Elisa Spiropali.

Related Posts