Ish-drejtori i Njësisë për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-presidentit Hashim Thaçi, Shyqeri Musliu, ka reaguar publikisht lidhur me rezultatin e zgjedhjeve dhe përfaqësimin në Kuvendin e Kosovës, shkruan rajoni.org.

Përmes një postimi, Musliu ka theksuar se vullneti i qytetarëve jo gjithmonë reflektohet drejt në Kuvend, duke ngritur shqetësime për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave.

Ai ka përmendur rastin e profesorit universitar dhe njohësit të ekonomisë, Ilir Murtezaj, i cili, sipas tij, padrejtësisht mbeti jashtë Kuvendit, pavarësisht një fushate shembull dhe ofertës së qartë për qytetarët dhe bizneset.

Sipas Musliut, humbja e Murtezajt nga Kuvendi nuk është humbje personale për të, por humbje për qytetarët e Kosovës, të cilët nuk do të kenë përfaqësim nga një profesionist i ndershëm dhe i përgatitur.

Postimi:

Të nderuar përfaqësues e simpatizantë të PDK-së dhe ju qytetarë të Kosovës!

Sot edhe njëherë u pa se në Kuvend jo gjithmonë përfaqësohen ata që i votojnë qytetarët, pasi vullneti i tyre shpesh dëmtohet gjatë numërimit të votave.

Këtë e tregon edhe fakti se një profesor universitar dhe njohës i mirë i ekonomisë, Ilir Murtezaj, mbeti jashtë Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Edhe pse u përfshi me vonesë në listën e kandidatëve për deputetë, Iliri zhvilloi një fushatë shembull, duke u ofruar qytetarëve ide të qarta për përmirësimin e jetës, bizneseve lehtësim të politikave fiskale, ndërsa Kuvendit do t’i sillte debat me ide dhe zgjidhje, e jo zhurmë pa përmbajtje.

Ilirin nuk e njoh vetëm unë, por e njeh e gjithë Kosova, si dhe shumë bashkëpunëtorë ndërkombëtarë, për punën dhe rezultatet që ka arritur gjatë drejtimit të Administratës Tatimore të Kosovës, duke e bërë këtë institucion më të besueshëm dhe më funksional.

Jam i bindur se Iliri nuk ka marrë votat e nevojshme për shkak të parregullsive. Në këtë rast, Iliri nuk humbi asgjë personalisht, por humbën qytetarët e Kosovës, sepse nuk do ta kenë në Kuvend një njeri të ndershëm dhe profesionist.

Rezultati i fundit në Skenderaj tregoi qartë se qytetarët kërkojnë figura të reja, me besim dhe përfaqësim dinjitoz. Kjo është një mesazh i fortë për Partinë Demokratike të Kosovës.

Prandaj, reformimi i PDK-së duhet të fillojë nga Skenderaj, nga degët dhe nën-degët e saj. PDK-ja duhet t’i ruajë këta njerëz dhe këto vlera, sepse njerëzit e ndershëm dhe profesionistë nuk pranojnë të drejtohen nga ata që nuk kanë dije e përgjegjësi.

Related Posts