Zgjedhjet parlamentare në Kosovë që do të zhvillohen më 9 shkurt të vitit 2025 shihen nga diplomatët e Bashkimit Evropian që merren me rajonin, si një rast për të normalizuar edhe situatën në veri dhe për të kthyer besimin e serbëve nga ajo pjesë e Kosovës ndaj autoriteteve kosovare.
Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë (REL), në BE gjithmonë ka pasur shqetësim për problemet në këtë pjesë të Kosovës, që nga ato të sigurisë e deri te fakti se në mesin e serbëve në veri as në të kaluarën nuk ka pasur kushte të duhura që të votojnë në mënyrë krejtësisht të lirë dhe që të kenë mundësi për zgjedhje pluraliste, sikurse në pjesë tjera të Kosovës.
Në ciklet e kaluara zgjedhore nëpër raportet interne të BE-së, shpesh është përmendur se në veri ka pasur frikësim dhe presion ndaj kandidatëve që nuk gëzonin mbështetjen e Beogradit dhe të Listës Serbe. Po ashtu, nuk ka pasur as fushatë të hapur dhe të barabartë, ndërsa edhe mediat në gjuhën serbe kanë qenë nën presion.
Për BE-në sidomos shqetësuese ka qenë situata me përfaqësimin e serbëve pas dorëheqjes në mënyrë të organizuar nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe bojkotimit të zgjedhjeve lokale në prill të vitit 2023.
Bashkëbisedues të REL-it kanë thënë se Serbia – me gjithë pretendimet se bojkoti ka qenë zgjedhje e vetë serbëve të veriut të Kosovës – ka pasur rolin kryesor në dorëheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në atë kohë. E ky bojkot vazhdon edhe sot.