Liderët e Bashkimit Evropian (BE) ranë dakord mbrëmë për të ndihmuar Ukrainën në përmbushjen e nevojave financiare për dy vitet e ardhshme, por nuk miratuan shpërndarjen e 140 miliardë eurove të fondeve ruse të ngrira, të cilat ishin planifikuar për të financuar mbrojtjen e vendit.

Vendimi për përdorimin e këtyre fondeve u shty për në muajin dhjetor, pasi Belgjika shprehu shqetësime. Ky veprim do të kishte qenë një shtesë ndaj sanksioneve që BE-ja ka vendosur ndaj Rusisë, të cilat synojnë të godasin të ardhurat e Kremlinit nga nafta.

Në prag të një samiti në Londër, ku kryeministri britanik Keir Starmer do t’u bëjë thirrje liderëve evropianë për furnizime shtesë me raketa me rreze të gjatë për Ukrainën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të marrin pjesë në takimin e “koalicionit të vullnetarëve”,raporton BBC.

Ministrat evropianë diskutuan mënyrat për të vënë në dispozicion fondet e ngrira ruse si “kredit për reparacione”, por propozimi nuk mori dritën jeshile. Komisioni Evropian është i detyruar të paraqesë tani “opsione për mbështetje financiare bazuar në vlerësimin e nevojave financiare të Ukrainës”.

Qëllimi mbetet që një marrëveshje për fondet ruse të arrihet në dhjetor.

Related Posts