BE po rishqyrton fondet për Serbinë nga Plani i Rritjes, ligjet për drejtësinë “po minojnë besimin”
Bashkimi Europian mund të ndalojë fondet nga një ndarje prej 1.6 miliardë eurosh kredish dhe grantesh për Serbinë, pasi Beogradi miratoi ligje që po “minojnw besimin” në angazhimin e tij ndaj sundimit të ligjit, tha Komisionerja pwr Zgjerim e bllokut.
Reformat për të centralizuar gjyqësorin që hynë në fuqi këtë javë shkaktuan kritika nga gjyqtarët dhe prokurorët të cilët i shohin ato si forcim të pushtetit të Presidentit Aleksandar Vuçiç, dobësim të luftës kundër krimit të organizuar dhe minimizim të përpjekjes së Serbisë për t’u bashkuar me BE-në.
“Këto ndryshime po gërryejnë besimin. Po bëhet më e vështirë për ata në Bruksel që janë të gatshëm të avancojnw me Serbinë të paraqesin argumentet e tyre”, tha Komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, në komentet e dërguara me email për Reuters të enjten vonë, raportoi ky medium, transmeton Gazeta Express.
Kos tha se komisioni po shqyrtonte financimin për Serbinë sipas Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, që synon përafrimin e rajonit me rregullat e BE-së dhe në fund të fundit sjelljen e vendeve si Serbia në bllok.
Serbisë iu ndanë 1.6 miliardë euro kredi dhe grante sipas Planit tw Rritjes.
“Këto (fonde) përmbajnë parakushte të lidhura me sundimin e ligjit”, tha ajo.
Serbia filloi bisedimet zyrtare për t’u bashkuar me BE-në në vitin 2014, por korrupsioni i përhapur dhe institucionet e dobëta kanë ngadalësuar progresin.
Reformat gjyqësore përfshijnë kufizimin e mandatit të kryeprokurorëve publikë dhe dhënien e kryetarëve të gjykatave – përgjegjës për administrimin e gjykatave – kompetencave më të mëdha mbi gjyqtarët. Kritikët kanë frikë se reformat do të dëmtojnë pavarësinë e gjyqtarëve dhe do të rrezikojnë rastet e korrupsionit të nivelit të lartë të mbikëqyrura nga Zyra e Prokurorit Publik për Krimin e Organizuar.
Qeveria nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment të premten. Ministria e Drejtësisë ka thënë se ligjet e reja do ta bëjnë gjyqësorin më efikas duke përmirësuar procesin e vendimmarrjes.
Që nga reagimi negativ, Serbia ka kërkuar mendimin e Komisionit të Venedikut, një panel ekspertësh të së drejtës kushtetuese të Këshillit të Europës.
“Sapo të publikohet ky mendim, ne presim që këto ligje të rishikohen në përputhje me rrethanat dhe në një mënyrë gjithëpërfshirëse”, tha Kos.























