Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë sot në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian. Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë.
Në Këshill do të nisë diskutimi për të parë se a ka mbështetje nga shtetet anëtare dhe se a mund të lëvizet përpara.
Telegrafi ka mësuar se diskutimi për liberalizimin e vizave në këtë takim do të nis rreth orës 14:00-14:30, dhe se i njëjti do të jetë i mbyllur.
Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave ka folur të mërkurën edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Kurti është shprehur optimist për çështjen e liberalizimit të vizave dhe ka thënë se qeveria e tij e ka përmirësuar imazhin e Kosovës.
“Ky është raporti i parë që përfshin periudhën e plotë 1-vjeçare te qeverisjes sonë. Vendi ynë ka shënuar progres në shume fusha gjatë vitit që shkoi pavarësisht krizave. Raporti e përgëzoi Kosovën për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë politike”, tha Kurti.