Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër pas dështimit të seancës së fundit të Kuvendit të Kosovës, ku deputetët u paraqitën në sallë vetëm për disa minuta dhe më pas u larguan pa zhvilluar diskutime, pa marrë vendime dhe pa dhënë llogari. Në një reagim publik, Pacolli e cilësoi këtë sjellje si një tallje të hapur me qytetarët dhe me shtetin.
“Pa pikë turpi, deputetët e Kuvendit të Kosovës hynë në sallë vetëm për t’u larguar pas pesë minutash, pa diskutim, pa vendim, pa përgjegjësi – por me pagesë!!!”, shkroi ai në rrjetet sociale. Ai shprehu indinjatën e thellë për mungesën e seriozitetit dhe përgjegjësisë institucionale në një kohë kur vendi përballet me shumë sfida dhe pasiguri.
Pacolli ngriti pyetje të drejtpërdrejta për ndërgjegjen qytetare dhe vullnetin për ndryshim: “Popull, a po e shihni kë keni votuar? A e kuptoni se këta përfaqësues nuk kanë as vullnetin, as guximin, as përgjegjësinë për ta zgjidhur as problemin më të vogël të vendit?”
Ky reagim vjen në një kohë kur qytetarët po shprehin gjithnjë e më shumë zhgënjim me performancën e institucioneve shtetërore, ndërsa dështimi i mbajtjes së seancave parlamentare është bërë një fenomen i shpeshtë. Pacolli, si një figurë politike me përvojë dhe ish-president i Kosovës, bëri thirrje për reflektim dhe ndërgjegjësim të përgjithshëm, duke sugjeruar se vendi ka nevojë për një qasje të re në udhëheqje dhe përfaqësim.