Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, ka paralajmëruar se do të japë dorëheqje nga partia nëse PDK-ja arrin të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje (VV). Ai ka theksuar se një marrëveshje e tillë bashkëpunimi do të ishte një tradhëti ndaj parimeve të PDK-së dhe ndaj atyre që janë përballur me drejtësinë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ata që janë aktualisht në Hagë.

Në një intervistë për emisionin “Politiko”, Berisha u shpreh se ai personalisht nuk do të pranonte kurrë të ishte pjesë e një partie që bën koalicion me VV-në. Ai theksoi se një vendim i tillë do të përbënte një humbje të konceptit dhe orientimit të PDK-së.

“Koalicioni me VV-në do të ishte tradhëti ndaj PDK-së, por edhe ndaj atyre që kanë sakrifikuar shumë, përfshirë ata që janë tani në Hagë”, tha Berisha.

Berisha është i njohur për qëndrimet e tij të forta ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka qenë një kritik i politikës aktuale të udhëhequr nga kryeministrin Albin Kurti. Ai ka paralajmëruar se një bashkëpunim me VV-në do të dëmtonte rëndë besimin në PDK dhe do të sillte pasoja të rënda për partinë dhe ndjekësit e saj.

“Unë do të largohesha nga partia. PDK-ja duhet të mbrojë parimet e saj dhe të mos bëjë kompromise me ata që e kanë cënuar rëndë historinë dhe integritetin e Kosovës,” shtoi Berisha.

Deklarata e tij ka hapur një debat të gjerë në brendësi të partisë dhe në opinionin publik, ku shumë anëtarë të PDK-së janë të ndarë për mundësinë e një koalicioni me VV-në. Disa e shohin këtë si një mundësi për të fuqizuar partinë, ndërsa të tjerë, si Berisha, besojnë se do të ishte një gabim i madh që do të minonte themelet e PDK-së.

Nëse ky koalicion realizohet, është e qartë se do të ketë pasoja të mëdha për politikën kosovare, ndërsa PDK-ja mund të kalojë një periudhë të vështirë për të ruajtur unitetin dhe mbështetje nga elektorati i saj.

Related Posts