Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka vazhduar takimet e tij me qytetarë dhe biznese lokale, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit ekonomik për mirëqenien e komunës.
Në një postim në rrjete sociale, Osmani ka bërë të ditur se po zhvillon takime “derë më derë” me bizneset e Fushë Kosovës, të cilat punojnë me përkushtim e përgjegjësi çdo ditë. Ai ka vlerësuar se tregu lokal është në rritje dhe se ofron një gamë të gjerë shërbimesh nga pajisjet sportive të importuara nga vende të ndryshme të botës, deri te shërbimet profesionale të dekorit dhe pastërtisë.
“Pa ekonomi të fortë, nuk ka komunë të zhvilluar!” ka theksuar Osmani, duke shtuar se mbështetja për bizneset vendore do të jetë një nga prioritetet kryesore të tij në qeverisjen e ardhshme komunale.
Fushë Kosova, sipas tij, ka potencialin të bëhet shembull i zhvillimit ekonomik lokal dhe i një bashkëpunimi të ngushtë mes institucioneve dhe sektorit privat.


























