Kandidati për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besnik Osmani, mori sot pjesë në aktivitetin informues për sportistët lokalë, ku u prezantua Palestra e re Multifunksionale e Sportit dhe Kulturës – një ndër projektet më të mëdha komunale në vitet e fundit.
Kjo qendër moderne, me vlerë investimi prej 2.2 milionë euro dhe një sipërfaqe prej 2500 metrash katrorë, do të ofrojë kushte të standardeve bashkëkohore për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe kulturore në qytet.
Projekti përfshin një sallë moderne me 1100 ulëse për shikues, hapësira funksionale për aktivitete të ndryshme dhe fusha të jashtme sportive që do të jenë në shërbim të komunitetit dhe të rinjve të Fushë Kosovës.
Sipas Osmanit, ndërtimi i kësaj palestre është një investim që shkon përtej infrastrukturës fizike, sepse krijon mundësi të reja për sport, kulturë dhe bashkëjetesë komunitare.
“Sporti dhe kultura janë themeli i një shoqërie aktive dhe të shëndetshme. Kjo hapësirë do t’u shërbejë brezave të rinj për të ndërtuar një Fushë Kosovë më dinamike dhe më të zhvilluar,” – tha ai.
Palestra pritet të hapet shumë shpejt, duke u bërë një qendër e rëndësishme për sportistët, të rinjtë dhe komunitetin lokal.






























