Kandidati për kryetar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Besnik Osmani ka mbajtur sonte tubimin përmbyllës para betejës së ashpër me kundërkandidatin nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Valon Prebreza më 9 nëntor në Fushë-Kosovë.

Valon Prebreza hyn me rreth dy mijë vota epërsi nga raundi i parë në raport me kandidatin e LDK-së Besnik Osmani për kryetar të Fushë-Kosovës.

LDK ka arritur koalicion parazgjedhor me PDK në garën për të parin e Fushë-Kosovës, ndërsa VV me AAK-në.

 

Një fjalë rasti para të pranishmëve me këtë rast ka mbajtur kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që më 9 nëntor të dalin dhe të votojnë për kandidatin e kësaj partie për kryetar të Fushë-Kosovës Besnik Osmanin.

Në këtë kohë të ndarje e përçarjes, më lejoni nga zemra t’ju uroj për bashkimin e madh që e kemi bërë për Fushë-Kosovë… Të bëhemi bashkë për qytetin tuaj, për familjet tuaja, për të ardhmen e njerëzve tanë, nuk është marre, është krenari kombëtare, andaj ndihuni krenarë, sepse ajo që po ndodh sot në Fushë-Kosovë është një thirrje dhe kushtrim i madh të na ndodhë gjithandej Kosovës, t’i dalim  ballë popullizmit dhe t’i dalim në ballë përçarjes sikurse kemi qenë bashkë gjithmonë – kjo është Republika e Kosovës…Ndihuni krenarë se Fushë-Kosova është histori e suksesit  dhe u bë model i zhvillimit, punës e angazhimit. Ky transformim i madh mban vulën tuaj, por natyrisht edhe të një kryetari për disa dekada, mban emrin e Burim Berishës dhe sonte ju kërkoj që nesër do të mbështesim Besnik Osmanin për kryetar të Fushë-Kosovës”, tha Abdixhiku.

 

Kandidati për kryetar të Fushë-Kosovës Besnik Osmani në fjalën e tij tha se me mbështetjen e madhe të qytetarëve të dielën do të shënojë fitore dhe të udhëheqë një mandat katërvjeçar në krye të komunës. Ai tha se në krye të Fushë-Kosovës do të punojë bashkë si një ekip.

“Këtu jam përfaqësues i zakonshëm i qytetarëve të mirë të Fushë-Kosovës që e duan komunën e tyre dhe që duan ta çojnë komunën përtej, edhe një Fushë-Kosovës më të mirë, sepse ata e meritojnë. Po, komuna e Fushë Kosovës është shumë e pasur, sepse ka njerëzit më të mirë të mundshëm, ka bizneset më të mira të mundshme, prandaj kemi resurse dhe do të investojnë në komunën e Fushë- Kosovës”, tha Osmani.

Ai ka falënderuar Burim Berishën, ish-kryetar të Fushë Kosovës, për kontributin e tij për tri mandate në krye të kësaj komune si një model i mirë i organizimit dhe punës, dhe tha se nesër pret përkrahjen e madhe të qytetarëve në garën për balotazh.

Related Posts