Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), ka bërë të ditur se procesi i therjes së kurbanëve, sipas porosive të besimtarëve, po vazhdon me sukses dhe organizim të mirëfilltë në të gjitha komunat e vendit.
Ky proces ka nisur menjëherë pas faljes së namazit të Kurban Bajramit, duke respektuar rregullat fetare dhe higjienike që kërkon ky ritual.
“Që nga falja e namazit të Kurban Bajramit, ky proces ka filluar në emër të Allahut dhe tashmë po i afrohet përmbylljes së tij,” thuhet në njoftimin e BIK-ut.
Përmes këtij veprimi simbolik dhe sakrificial, besimtarët myslimanë shprehin përkushtimin dhe bindjen e tyre ndaj Zotit, si dhe solidarizimin me ata që kanë më pak.
Bashkësia Islame ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e këtij riti dhe ka lutur për mirësi dhe paqe për familjet e besimtarëve.
“Zoti i pranoftë kurbanët e të gjithë besimtarëve dhe i bekoftë familjet me mirësi, paqe dhe begati!”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/